Secondary Adv

Malaj: Llogaria për pensionistët në BSH nis me 150 mln euro

Teprica e buxhetit 2025 do të transferohet në llogarinë e pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.

E gjithë teprica e buxhetit të vitit 2025 do të transferohet në llogarinë e posaçme për mbështetjen e pensionistëve pranë Bankës së Shqipërisë dhe do të përdoret me Vendim të Këshillit të Ministrave. Kështu u shpreh Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë një seance në Komisionin e Ligjeve, ku u diskutua Akti Normativ nr.11 për Buxhetin 2025.

 

Ministri nuk dha shifra përfundimtare për tepricën buxhetore të vitit 2025, por nga analizimi i të dhënave zyrtare të treguesve fiskalë rezulton se mbi 1 miliardë lekë nuk kanë mundur të alokohen deri në ditët e fundit të vitit të kaluar. “Nga një vlerësim paraprak që ka bërë Ministria e Financave, shuma që minimalisht parashikojmë që do të jetë e papërdorshme dhe që do të kalojë në llogarinë e Bankës së Shqipërisë është minimalisht 150 milionë euro”, deklaroi Malaj.

 

Rritja ekonomike dhe borxhi publik

Sa i përket ecurisë ekonomike, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me rreth 4% në vitin 2024, ndërsa gjatë nëntëmujorit të vitit 2025 rritja ishte 3.7%, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet. Ministri theksoi se parashikimi për rritjen ekonomike të vitit 2025 është në masën 3.9%.

 

Në lidhje me borxhin publik, pritet që ai të rezultojë nën 54% të Produktit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2025, duke shënuar nivelin më të ulët të borxhit publik që prej vitit 2010. Huamarrja neto dhe shpenzimet e parashikuara për interesa nuk kanë pësuar ndryshime nga rishikimi i fundit i buxhetit.

 

Të ardhurat buxhetore

Sipas të dhënave paraprake për vitin 2025, të ardhurat nga tatimet dhe doganat u realizuan në vlerën 496 miliardë lekë, rreth 39 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin 2024, ose rreth 400 milionë euro më shumë. Realizimi i planit vjetor për këtë zë ishte në masën 99.3%.

 

Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2025 arritën në rreth 172 miliardë lekë, me një rritje prej 16.7 miliardë lekësh, ose rreth 170 milionë euro më shumë se në vitin 2024, duke shënuar një rritje dyshifrore prej 11%. Krahasuar me planin, këto të ardhura e tejkaluan atë me rreth 711 milionë lekë.

 

Në total, të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2025, sipas të dhënave paraprake, arritën në 668 miliardë lekë, rreth 55.8 miliardë lekë më shumë se në vitin 2024, ose afërsisht 560 milionë euro më shumë. Realizimi në raport me planin vjetor ishte në masën 99.6%.

 

Skema e pensioneve

Ministri theksoi se përmes Aktit Normativ parashikohet transferimi i të gjitha fondeve të papërdorura nga ministritë dhe institucionet buxhetore në llogarinë e posaçme pranë Bankës së Shqipërisë për skemën e pensioneve. Këto fonde do të përdoren më tej me Vendim të Këshillit të Ministrave, në mbështetje të politikave të qeverisë për skemën e re të pensioneve.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat